Rama ne Pogradec: Perdorini shtepite per te perfituar te ardhura| ABC News Albania

Rama ne Pogradec: Perdorini shtepite per te perfituar te ardhura| ABC News Albania

Kryeministrit Edi Rama ishte në Lin të Pogradecit në kuadër të projektit 100 fshatrat. Rama i ftoi fermerët që shtëpitë të mos i përdorin vetëm për t’u strehuar, por t’i kthejnë ato në burim të ardhurash.

Në fshatin Lin të Pogradecit, një nga 100 fshatrat që qeveria i mbështet përmes një projekti promovues për turizmin dhe vlerat historike,  Kryeministri  u ndal në një bujtinë të veçantë.

Prej aty u shpjegoi të gjithë banorëve se si mund të zhvillojnë ekonomitë familjare, nëse hapin shtëpitë e tyre edhe për turistët.

“Faktikisht një aset, një kapital i fjetur siç është shtëpia, në rastin kur ajo përdoret vetëm për tu strehuar vetë, kthehet në një mekanizëm fitimprurës dhe nëse sot këtu ka disa nga këto bujtina dhe ka një numër turistësh që vijnë dhe këto bujtina janë të rezervuara siç është rasti i kësaj bujtine të re që rezervohet direkt nga interneti, ka dhe pëlqyeshmëri në “Booking”, goxha të lartë”.

Qeveria do të mbështesë jo vetëm nisma individuale për bujtina apo agroturizëm, për te cilat nxiti banoret e Linit të aplikojnë.

Rama premtoi edhe investime që do të përmirësojnë infrastrukturën në këtë zonë më natyre të rrallë, buzë liqenit të Ohrit.

“Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në kuadrin e Programit të 100 fshatrave ne do të bëjmë disa ndërhyrje për ta kthyer këtë fshat në një model të suksesshëm transformimi.  Për  të zhvilluar më tutje infrastrukturën dhe për të zhvilluar më tutje të gjitha ato elementë që janë të rëndësishëm për it dhënë një forcë tërheqëse shumë më të madhe këtij fshati duke bërë unifikime të karakterit të godinave, duke krijuar një sistem ndriçimi ashtu siç duhet, duke mbështetur edhe projekte të natyrave të ndryshme”.

Kryeministri tha se ne 4 vitet e ardhshme në mandatin e kryetarit të ri të sapozgjedhur të bashkisë së Pogradecit, bashkëpunimi do të sjellë më shumë transformim në këtë zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik./ABC News Albania 24/7